Europa League zbret sot sërish në fushë me nëntë përballje në program, në nisjen e fazës së ligës.
Në qendër të vëmendjes është Juventusi, që rikthehet në Europa League pas një sezoni ku nuk arriti të sigurojë një vend në Champions.
Bardhezinjtë e nisin aventurën në shtëpi, në Allianz Stadium, përballë holandezëve të Nijmegen, në orën 21:00, shkruan A2.
Për Juventusin, objektivi është i qartë: një nisje me tre pikë në një kompeticion ku skuadra italiane kërkon të shkojë sa më larg. Përballë do të jetë një kundërshtar që rikthehet në arenën europiane dhe që e ka përballur më parë vetëm një herë një skuadër italiane në kompeticionet europiane, atëherë kur në vitin 2008 mposhti Udinesen 2-0 në shtëpi.
Një nga emrat që pritet të ketë vëmendjen është Teun Koopmeiners. Holandezi ka marrë pjesë në tre gola në dy paraqitjet e fundit europiane me Juventusin, me dy gola dhe një asist. Në krahun tjetër, NEC ka në dispozicion një futbollist me shumë eksperiencë ndërkombëtare: Dusan Tadić, i cili ka kontribuar në 36 here në kompeticionet europiane për klube, me 18 gola dhe 18 asistime.
Për Juventusin kjo është edhe një mundësi për të reaguar pas humbjes 3-2 ndaj Sassuolos në kampionat. Skuadra e Luciano Spallettit ka marrë dy fitore, një barazim dhe një humbje në katër ndeshjet e para të kampionatit, ndaj sfida europiane vjen si një tjetër test për bardhezinjtë.
Në orën 21:00, përveç Juventusit, luhen edhe Besiktas–Marseille, Celtic–Ferencvaros, Crystal Palace–Lech Poznan apo Real Sociedad–Bournemouth. (A2 Televizion)