Albin Kurti hyri në sallë dhe u ul pranë flamurit kombëtar… betimin e bëri ashtu si 119 deputetët e tjerë të legjislaturës së re, por Kuvendi i Kosovës nuk u konstitua.
Seanca u ndërpre për një kohë të pacaktuar. Shkak u bë vetëvendosja që nuk dha një emër për kryeparlamentar. Kurti e argumentoi kështu.
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti shprehet: “Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme dhe të paarsyeshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuar kryesues, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”.
Afati i fundit për t’u rimbledhur në sallë do të jetë e premtja, por palët u rikthyen aty ku ishin para qershorit te llogaritë e votave për presidentin.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza tha: “Është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh. Dalin e mbajnë fjalime politike, abuzojnë me opozitën dhe me kryesuesin. Në vend që ta propozojnë emrin për kryetar.”
Armend Zemaj, deputet i LDK tha: “Ne nuk kemi qenë të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patë edhe vetë nga seanca, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka debat në seancën konstituive. Por ky është Albin Kurti. Ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushata elektorale, edhe të kërkojë shtesa, duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit.”
Deputeti i AAK, Besnik Tahiri, u shpreh: “Këtu ka problem me një logjikë autoritare për t’i marrë tri pushtetet, nuk ka krizë kushtetuese, është e pastër si loti procedura dhe është jashtëzakonisht e lexueshme situata. Të gjithë kanë pritur që të konstituohet kuvendi, kjo nuk ka të bëjë me krizë kushtetuese por me tendencë të vazhdimit, të lodhjes, por ne nuk do të lodhemi”.
Në të kundërt vetëvendosja këmbëngul se kreu i shtetit dhe ai i qeverisë u takon atyre.
“Ne jemi në komunikime të drejtpërdrejta me LDK-në, pra me kryetarin Abdixhiku s’kemi ndërmjetësues. Sa më herët që mund të ecim përpara, aq më mirë, por duhet ta kuptoni që nuk janë gjëra të thjeshta këto dhe nga përvoja e këtyre 16 muajve duhet ta lëvizim çdo guralec për t’i evituar zgjedhjet e reja. Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale dhe politike sot e ka veç një përkufizim, evitimi i edhe një palë zgjedhjeve të reja të panevojshme”, tha Kurti.
Nga shkurti i vitit të shkuar Kosova ka shkuar dy herë në zgjedhje të parakohshme. E para për shkak se nuk u arritën votat për kryetarin e Kuvendit dhe pas dhjetorit për presidentin. (A2 Televizion)