23 Nëntori 2024 do të mbetet një ditë historike për sportin shqiptar dhe sidomos për skiatorët kuq e zi. Në garën e zhvilluar në Gurgl të Austrisë, Lara Colturi, vetëm 18 vjeçe, ka realizuar një arritje të jashtëzakonshme duke u renditur e dyta, pas ikonës së këtij sporti, Mikaela Shiffrin.
Kjo ishte një nga garat më emocionuese të sezonit deri më tani, dhe podiumi i Larisë përbën një moment të artë për Shqipërinë. Kjo është hera e parë që një sportiste shqiptare arrin një rezultat të tillë në Kupën e Botës në Ski, duke hapur një faqe të re në historinë e këtij sporti për vendin tonë.
Me një paraqitje plot vendosmëri dhe talent, Lara Colturi ka dëshmuar se potenciali i saj është i jashtëzakonshëm, dhe se është gati të sfidojë më të mirat e botës. Podiumi në Gurgl është jo vetëm një triumf personal për të, por edhe një burim krenarie për të gjithë shqiptarët që e ndjekin dhe mbështesin.
Ekipi i saj tani përgatitet për ndalesën e radhës në Killington pas një jave, por për momentin, këto çaste historike duhen shijuar. 23 Nëntori 2024 nuk është thjesht një datë në kalendar; është një gur kilometrik që simbolizon arritjen dhe progresin e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Lara Colturi është emri që do të kujtohet gjatë për këtë sukses të paprecedent. (A2 Televizion)