Italia ndihmon Shqipërinë, kualifikim i trajnerëve kuqezi për medaljen e parë olimpike

Nga Erald Kodhelaj
11 Janar 2024, 15:48 | Sporte të tjera

Ekspertizë e nivelit më të lartë, ndihmë në kualifikimin e trajnerëve, apo suport në çështjet e mjekësisë sportive. Kjo është ndihma e paçmuar që Komiteti Olimpik Shqiptar do të përfitojë nga homologia italiane.

Në vizitën e Giovanni Malagò në Tiranë, e para e këtij lloji për një president të Komitetit Olimpik Italian, me presidentin e lëvizjes olimpike në vendin tonë, Fidel Ylli u firmos memorandumi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Si mund ta ndihmojmë Shqipërinë drejt medaljes së parë olimpike? Në tre vitet e fundit Italia ka arritur rezultate dhe ka fituar numër medaljesh si asnjëherë më parë. Ndihma jonë për sportin shqiptar lidhet me atë që është pika jonë më e fort: kualifikim i trajnerëve, të cilët do të punojnë me kampionët tuaj. Në shumë sporte kemi trajnerët më të mirë në qarkullim, që punojnë dhe fitojnë kudo në botë. Me mbështetjen tonë edhe Shqipëria do të ketë trajnerë shumë të mirë”, u shpreh Giovanni Malagò, President i Komitetit Olimpik Italian.

Në takimin e zhvilluar në Parkun Olimpik, presidenti Fidel Ylli e njohu homologun e tij me iniciativat e ndërmarra. Nga masivizimi i sportit në shkolla, synimi për të afruar sa më tepër njerëz në aktivitete si edhe projektet për ndërtimin e infrastrukturave që do të ndihmojnë në rritjen e kampionëve të rinj.

Më e rëndësishmja mes tyre është Olympic Sports City, një strukturë gjigande me hapësira për çdo disiplinë, me hotele dhe një stadium me pistë olimpike, që do të ketë një stol më tepër se impianti i Juventusit në Itali, më specifikisht 41 mijë e 508 vende. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos