Nuk kanë të ndalur episodet që rrëmbejnë vëmendje nga Olimpiada e Parisit. Pas qitësit turk Yusuf Dikec të përfolur për performancën mbresëlënëse pa pajisjet e duhura dhe boksieres algjeriane Imane Khelif të diskutuar për gjininë e saj, sot ishte radha për të pësuar një tronditje të vërtetë.
Kjo pasi garës së notit 200 metra miks për femra, notarja 21-vjeçare sllovake Tamara Potocka u shemb në tokë, pak pasi doli nga pishina ku arriti të renditej e shtata.
Fatmirësisht ajo u shpëtua menjëherë nga mjekët dhe u transportua me barelë dhe një maskë oksigjeni.
“Ajo është e vetëdijshme, por ne presim informacione të reja mjekësore”, sqaruan organizatorët.
Ekipi olimpik sllovak i tha ‘The Athletic’ se Potocka kishte pësuar një atak astmatik dhe ishte vendosur në terapi me oksigjen.
"Ajo nuk kishte medikamente specifike me vete, prandaj ishte e sëmurë. Ajo do të mbahet nën vëzhgim për një kohë si masë paraprake”, tha Ivana Langeova, një anëtare e ekipit sllovak të notit. (A2 Televizion)