Skiatorja shqiptare Lara Colturi ka shkëlqyer në garën e sllallomit gjigand të zhvilluar në Åre, Suedi, duke siguruar një vend në podium, shkruan A2 CNN. Colturi u rendit në vendin e tretë, duke konfirmuar formën e saj të shkëlqyer këtë sezon. Ky është podiumi i tretë për të në këtë edicion të Kupës së Botës, një arritje e jashtëzakonshme për sportisten 17-vjeçare.
Gara u fitua nga italiania Federica Brignone, e cila ka dominuar këtë disiplinë gjatë gjithë sezonit, ndërsa në vendin e dytë u pozicionua Alice Robinson nga Zelanda e Re. Colturi tregoi një performancë të fuqishme, duke sfiduar më të mirat e botës dhe duke dëshmuar se është një nga talentet më premtuese në sportin e skive.
Ky rezultat i rëndësishëm vjen në prag të finaleve të mëdha të Kupës së Botës, të cilat do të zhvillohen në Sun Valley, SHBA, nga 20 deri më 28 mars. Shqiptarët shpresojnë në një tjetër paraqitje të shkëlqyer nga Colturi edhe në garën e sllallomit, e cila do të mbahet nesër në Åre. Me këtë ritëm, Lara Colturi po e çon Shqipërinë gjithnjë e më lart në skenën botërore të skive. (A2 Televizion)