Një skuadër që po ndërtohet jo vetëm për sot por edhe për të ardhmen. Basketbolli shqiptar kërkon të rrisë nivelin në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Përfaqësuesja shqiptare synon të krijojë një ekip cilësor me karakter dhe ambicioz për të fituar pavarësisht kundërshtarit që kanë përballë.
Fanella e kombëtares për çdo lojtar është një tjetër emocion. Shumë prej tyre kanë qenë pjesë e moshave kuqezi ndërsa sot japin kontributin e tyre me kombëtaren.
Fitorja e Shqipërisë përballë Austrisë në ndeshjen e fundit në grup për parakualifikueset e botërorit 2027 ishte historike për vendin tonë. Djemtë treguan karakter, cilësi dhe dëshmuan se me shumë punë mund të jene konkurrent serioz dhe në arenën ndërkombëtare. Emocionet kuqezi në këtë rrugëtim kanë qenë të mëdha, që nga ndeshja me Armenin e deri të suksesi në Vjenë përballë Austrisë.
Në grup nuk mungojnë dhe ata që konsiderohen e ardhmja e kombëtares kuqezi. Viktorio Hida, i lindur në vitin 2005 është një nga lojtarët më premtues që përfaqësuesja shqiptare ka. Ai aktivizohet në Itali dhe mori ftesën e parë nga kombëtarja A në nëntor të vitit 2024 dhe sot është një nga lojtarët që spikati në skuadrën kuqezi. (A2 Televizion)