F1, Verstappen teston makinën e re Red Bull në Bahrein

Nga Erald Kodhelaj
26 Shkurt 2025, 13:45 | Sporte të tjera

F1, Verstappen teston makinën e re Red Bull në Bahrein

Max Verstappen hipi për herë të parë në timonin e makinës së re Red Bull për sezonin 2025. RB21 doli në pistën e cirkuitit të Bahreinit, aty ku kanë nisur testet e Formula 1. Katër herë kampioni i botës u ndoq nga shoku i ekipit, Liam Lawson, i cili zëvendësoi Sergio Perez.

“Vitin e kaluar kishim disa kufizime, më e rëndësishmja është që gjatë këtyre ditëve të provojmë nëse makina është përmirësuar. Por, kjo ditë e parë e provave shërben për të njohur më mirë makinën. Më tej, shpresojmë të mësojmë diçka më tepër”, tha Verstappen.

“Nuk është ndjesi e re për mua, sepse kam qenë pjesë e skuadrës si pilot rezervë. Natyrisht që jam entuziast për faktin se do të zbres në pistë. Të gjithë jemi të motivuar. E pres me padurim nisjen e sezonit”, deklaroi Lawson.

RB21 është makina e parë që Red Bull ka projektuar prej largimit të Adrian Newey te Aston Martin, shkruan A2.

Christian Horner, shefi i Red Bull, u shpreh: “Me makinën e vitit të kaluar fituam më tepër gara se të gjithë, triumfuam në nëntë Çmime të Mëdha dhe në katër gara Sprint. Kur merr maksimumin nga një makinë, përmirësimet nuk janë të thjeshta. Shpresojmë që kjo makinë të jetë më e thjeshtë për të punuar. Njëvendëshja do të vijojë të zhvillohet më tej nga gara e parë deri në të fundit”.

Sezonin e kaluar, Red Bull rrëshqiti në vendin e tretë në garën për Konstruktorë, pas McLaren dhe Ferrarit, pasi kishte fituar dy edicionet e mëparshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos