Ka ndërruar sot jetë në moshën 91-vjeçare ikona e sportit të Kosovës, Arsim Fehmiu. Me këtë rast, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta drejt familjes Fehmiu.
“Profesor Arsim Fehmiu do të mbetet gjithmonë një figurë e shquar e sportit në Kosovë dhe një burrë i madh i arsimit. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe admirim. Ai ishte një shembull i vërtetë i përkushtimit ndaj atdheut dhe edukoi breza të tërë me pasionin e tij për sportin”.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK)

Fehmiu ishte ndër trajnerët e parë shqiptarë në ish-shtetin federativ, ndërsa me vizionin e tij kontribuoi në themelimin e institucioneve të pavarura sportive në Kosovë.
Po ashtu, Fehmiu ishte njëri nga themeluesit e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ai vuri themelet e futbollit, basketbollit, hendbollit dhe volejbollit në këtë institucion të rëndësishëm të arsimit dhe sportit në vendin tonë. (A2 Televizion)