Srebrenica 25 vjet më pas, Bosnja kujton masakrën mes pandemisë

Nga A2 CNN
11 Korrik 2020, 16:30 | Aktualitet

“Jam mirënjohës për mundësinë e përkujtimit të këtij përvjetori, pasi 11 korriku është më shumë se sa thjesht e kaluara e Bosnje-Hercegovinës. Është gjithashtu një kujtesë e kostove të tmerrshme për të gjithë ne, kur ua kthejmë shpinën vlerave të përbashkëta njerëzore”. Kështu e kujton, ish presidenti amerikan Bill Clinton, masakrën e Srebrenicës, 25 vjet pasi trupat serbo-boshnjake përgjakën Europën në një prej krimeve më të rënda masive, që prej luftës së dytë botërore. Videomesazhi i njeriut që drejtoi Amerikën, kur Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli Srebrenicën zonë të sigurt, para hyrjes së trupave serbo-bosnjake, u shfaq gjatë një ceremonie të thjeshtë në qendrën përkujtimore të Potocarit në Srebrenicë. Për shkak të pandemisë së COVID-19, pjesëmarrja ishte e kufizuar dhe të pranishmit mbanin maska dhe ruanin distancën sociale. Homazhe u zhvilluan në varreza, e gjithashtu 9 viktima të tjera të gjenocidit serb, kufomat e të cilëve u zbuluan së fundmi, u varrosën pranë 6610 viktimave të tjera të identifikuara. Rreth 1mijë persona mbetën ende të zhdukur. Forcat serbo-boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladic, sulmuan enklavën e Srebrenicës ku ishin strehuar rreth 40 mijë myslimanë të Bosnjës, nën mbrojtjen e OKB. Pasi Srebrenica ra në duart e serbëve në 11 korrik të 1995-sës, gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat, e u dërguan në territore të kontrolluara nga ushtria boshnjake. 8 mijë burra e djem u ekzekutuan nga forcat serbo-boshnjake, rreth 6 mijë prej të cilëve teksa përpiqeshin të arratiseshin në pyje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos