
Ministrja e Financës dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj përmes një postimi në Facebook njoftoi se Agjencia Standard & Poor's ka konfirmuar vlerësimin “B+” për ekonominë shqiptare, të shoqëruar nga një perspektivë “të qëndrueshme”.
Një lajm i mirë, sipas ministres, që shton se “Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe parashikon që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5%-9% në terma realë. Edhe në periudhë afatmesme rritja reale do të mbetet e qëndrueshme në 3.5%-4.3%, e mbështetur fort nga konsumi familjar, investimet në infrastrukturë dhe gjallërimi i turizmit”.
Ibrahimaj deklaroi se S&P parashikon se “deficiti fiskal do të vijë në ulje në afatmesëm, duke sjellë rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në”. (A2 Televizion)