Sterilizimi në SPAK, Rama: Një nga punët më të bukura që kemi bërë! Kush shkel ligjin, do ta paguajë

Nga A2 CNN
25 Gusht 2023, 13:54 | Politikë
Sterilizimi në SPAK, Rama: Një nga punët më të bukura

SPAK ka nisur hetimet për koncesionin e sterilizimit si një aferë korruptive, mirëpo kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje duke thënë se është një nga kontratat më të mira që qeveria e tij ka bërë. Për kreun e qeverisë, kjo kontratë e ka ndryshuar shëndetësinë shqiptare, në një nga hallkat më delikate të saj, që janë ndërhyrjet në trupin e njeriut.

“Sterilizimi është një nga kontratat dhe një nga punët më të bukura që kemi bërë dhe për këtë shkoni pyetjet e mjekëve, kam marrë mesazhe pa fund nga profesor, nga mjekë që ishin të keqkuptuar apo të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, që s’ishte rasti dhe pse, sepse me atë kontratë dhe atë transformim kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare, që hallkën më delikate në trupin e njerëzve”, tha Rama.

Mirëpo, për atë që kryeministri quan një nga punët më të mira, 8 persona janë nën akuzë, e ndërsa është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Rama zgjodhi që të mos iu bëhet mburojë, duke thënë se nëse kanë shkelur ligjin, atëherë do duhet ta paguajnë.

“Nëse individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin dhe atdheun që ne i shërbejmë, do paguajnë. Kur ne zgjedhim ne nuk vëmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se ç’do bëjnë ato në të ardhmen. Pushteti është kafshë shumë e egër, vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta, ka disa që e mbajnë, ka disa jo, ka disa që u rezistojnë tundimeve, ka jo, por nuk mund të bëjmë parashikime se kush e mban tundimin dhe kush jo”, shtoi kreu i qeverisë.

Ai vlerësoi punën e SPAK dhe në ndryshim nga e kaluara, ai zgjodhi që të mos e sulmojë sistemin e drejtësisë, por shtoi se do u japë mbështetjen e duhur.

Prej një jave me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit përfunduan në qeli ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Në vendimin e izolimit të tyre Gjykata e Posaçme evidentonte shkelje ligjore të kryera edhe nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/23/dosja-e-spak-italiani-i-sterilizimit-prodhoi-mendimin-e-shefave-te-kirurgjise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos