
Opozita e Sali Berisha ka paralajmëruar se do t’i rikthehet sërish protestave.
Në konferencën e tij të përjavshme, Berisha tha se protestat janë i vetmi mjet për t’i dhënë fund “regjimit të krimit”, siç Berisha e ka quajtur qeverinë.
“Nëse ne nuk ngrihemi në protesta të fuqishme për të rrëzuar këtë regjim, të bazuar mbi krimin, drogën, korrupsion, të ardhme në këtë vend nuk ka. Unë e kuptoj që kjo ka qenë temë e përhershme në biseda tona, por aty ku ky fenomen del gjithnjë e më shumë si faktor përcaktues në rrënimin e shoqërisë shqiptare, nuk mund të ketë çështje tjetër më të rëndësishme se kjo”, tha Berisha.
Kjo nuk është hera e parë që opozita e tij zhvillon protesta me qëllimin për të rrëzuar qeverinë Rama, mirëpo deri më tani nuk ia kanë dalë. Pavarësisht kësaj, Berisha thotë se fakti që nuk ia kanë dalë, kjo nuk do të thotë që do duhet të ndalin aksionin e tyre.
“Nëse nuk është arritur, ne kemi besim se do arrihet. Populli do ngrihet në këmbë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, kjo qeveri e ka shndërruar në një mënyrë të ekzistencës së saj ku “krimi kthehet në votë dhe vota në krim”, prandaj duhet rrëzuar. (A2 Televizion)