
KFOR po analizon ende kërkesën e Serbisë për dërgimin e 1 mijë trupave policore e ushtarake në veri të Kosovës. Këtë e njoftoi vetë misioni i NATO-s, që saktësoi se do të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë duke inkurajuar dialog konstruktiv mes Prishtinës dhe Beogradi për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme. Sa i përket rrezikut që u paraqit në pikën kufitare të Jarinjës nga grupet kriminale që erdhën nga Beogradi, KFOR thotë se situata u menaxhua me sukses të madh falë bashkëpunimit me Malin e Zi, kreun e ushtrisë së Serbisë, institucionet në Kosovë dhe EULEX-in.
“KFOR tregoi ekuilibër dhe vendosmëri gjatë gjithë ngjarjes. Nuk pati raportime për të lënduar dhe tensionet janë ulur për shkak të koordinimit ndërmjet palëve zyrtare dhe udhëheqjes së KFOR.”
Komandanti i KFOR, Gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, nënvizoi se misioni i ka aftësitë dhe mjetet e duhura për të frenuar dhunën në rajon. Gjithashtu, konfirmoi gatishmërinë për të ndërhyrë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës, nëse do të jetë e nevojshme.
“KFOR beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjelljes agresive për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim.”
Ndërkohë, KFOR publikoi dhe pamje nga stërvitjet e fundit që zhvilloi në veri të Kosovës, ku testoi aftësitë për vazhdimin e garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë. (A2 Televizion)