“Stoku i apartamenteve aktualisht është 40 mijë”, Këlliçi: Prioriteti im zhvillimi me vizion i qytetit

Nga A2 CNN
4 Prill 2023, 21:01 | Politikë
“Stoku i apartamenteve aktualisht është 40 mijë”,

Vetëm vitin e kaluar kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë 1,8 milion metër katror leje ndërtimi. Kjo shifër u bë publike nga kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” në Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi në studion e Debatit në A2 CNN. Sipas tij stoku i apartamenteve aktualisht është 40 mijë nga 8 mijë që ishin kur Veliaj u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.

“Vetëm vitin e kaluar ka dhënë 1,8mln metër katror leje ndërtimi. Kur ky u zgjodh kryetar bashkie ishin 8 mijë apartamente stoku sot stoku i apartamenteve është 40 mije”, tha Këlliçi.

Ai u shpreh se nuk është kundër ndërtimit dhe zhvillimit të kryeqytetit, por theksoi se duhet vizion dhe plan rregullues i qartë.

“Nuk jam kundër zhvillimit e ndërtimit në qytet, por jam kundër ndërtimit në mënyrë monocentrike por policentrike. Kemi dy pole të tjera që janë të planifikuara në planin e fundit të Adil Çarçanit që janë Kombinati dhe Kinostudio dhe këto pole të planifikuara par 4 dekadash janë në shkatërrim. Jam pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar pa dhembur atë që kishim. Teatër i ri në bulevardin e ri. Mund të ndërtohet në Laprakë, Kombinat, Kinostudio duke i dhënë oksigjen qytetit. Teatri Kombëtar do të ngrihet me të njëjtin projekt të vitit 1938 aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Aty është një gropë dhe Veliaj nuk ka projekt. Kinemaja në Baldushk është një stallë lopësh.  Nuk duhet të lëmë në rrënim godinën e Radio Tiranës. Nuk jam kundër zhvillimit, por plan rregullues me rregulla të qarta. Tirana ka humbur 52 hektarë hapësira të gjelbra.  1 milion pemë do të thotë 15 mijë fusha futbolli të jenë mbjellë me pemë. Parku i liqenit ka 32 mije e 895 pemë e shkurre. I bie që ka mbjellë 30 herë parkun e liqenit me pemë nëse ka qytetar në botë që e beson. Do të kem prioritet zhvillimin me vizion të qytetit. Bulevardi në qendër është ndërtuar me vizion nga italianët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos