
Sali Berisha ka reaguar mbrëmjen e së martës pas deklaratave të bëra nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ish-kryeministri i ka bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI-së dhe Kongresit të SHBA-së që të hetojë, siç u shpreh ai, “aferat e ambasadores Kim, përfshirë këtu edhe pronat e saj në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Berisha sqaron se PD sqaron që kandidatët e saj “nuk janë as të barit e as të zjarrit, por janë kandidatë të votës së lirë.”
Të dashur miq, Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me dekleratën e saj për zjarre dhe zjarrëvënës në të vërtetë ajo përpiqet të fsheh aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera.
Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri.
Partia Demokratike sikundër deri sot është e gatshme të jap kontributin e saj për këtë transparencë.
Partia Demokratike shton se kandidatët e saj nuk janë as të barit as të zjarrit, por janë kandidatët e votës së lirë. Ajo fton çdo shqiptar të marrë ndryshimin në duart e veta për të shpëtuar vendin nga një e keqe që po zgjat më shumë se një dekadë! Bashkë Fitojmë!
Sali Berisha, Facebook
Por, çfarë deklaroi ambasadorja Yuri Kim në intervistën e dhënë sot për VOA?
Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit, ju në takimet me drejtuesit e forcave politike, keni theksuar rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe më integritet. Megjithatë, kemi vënë re se dhe persona të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm rasti i zotit Berisha, përfshihen hapur në zgjedhje, ndoshta tanimë jo duke kandiduar personalisht, por duke u angazhuar në fushata elektorale, ose duke mbështetur familjarë apo të afërm të tyre që kandidojnë. A jeni e shqetësuar për këtë?
Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi. Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë. (A2 Televizion)