Stoltenberg: Mënyra më e lehtë për t'i dhënë fund luftës është që Putini të tërhiqet

Nga A2 CNN
7 Prill 2022, 16:22 | Bota
Stoltenberg: Mënyra më e lehtë për t'i dhënë

“Mënyra më e lehtë për t'i dhënë fund kësaj lufte është që presidenti Putin të tërheqë të gjitha trupat e tij dhe të ulet në përpjekje serioze diplomatike për të gjetur zgjidhjen”. Kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai paralajmëroi se lufta mund të zgjasë me vite dhe tha se çelësi për një zgjidhje të hershme i takonte presidentit rus Vladimir Putin.

“Ne duhet të jemi realistë dhe nuk kemi asnjë indikacion se presidenti Putin ka ndryshuar qëllimin e tij të përgjithshëm, dhe ai është të kontrollojë Ukrainën dhe të arrijë fitore të rëndësishme ushtarake në fushën e betejës. Ajo që ne shohim është rigrupimi dhe ripozicionimi i forcave ruse duke u larguar nga veriu i Ukrainës, por në të njëjtën kohë duke i zhvendosur ato forca në lindje dhe ne presim një betejë të madhe në Donbas”, u shpreh Stoltenberg.

Sipas tij kjo është arsyeja pse aleatët theksuan sot nevojën urgjente për të ofruar më shumë mbështetje për Ukrainën.

“Kjo është arsyeja pse edhe aleatët po i imponojnë kosto të rënda presidentit Putin dhe Rusisë. Por në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur për një afat të gjatë. Kjo luftë mund të zgjasë me javë, por edhe me muaj, e ndoshta edhe me vite. Dhe për këtë arsye ne duhet të përgatitemi për shumë më tepër”, theksoi ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se sa më shumë lufta do të zgjasë, do të ketë rrezik të përshkallëzimit të saj.

“Nëse lufta do të zvarritet, atëherë rreziku është para së gjithash për popullin e Ukrainës, i cili do të vuajë më shumë, do të shohim më shumë dëme, më shumë vdekje dhe më shumë shkatërrim. Por sigurisht, për sa kohë që lufta të vazhdojë, do të ketë rrezik për përshkallëzim përtej Ukrainës. Dhe pikërisht kjo është ajo ku NATO është fokusuar, për të parandaluar atë përshkallëzim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos