
Të nxitur edhe nga gjetjet e një raporti voluminoz të FMN-së që këshillon rishikimin e skemës të subvencioneve në vend, ekspertët e ftuar në A2 Business kanë mendime të ndryshme.
Sipas ish zëvendës ministrit të Financave Elton Haxhi, “ato të FMN nuk janë kritika por një asistencë e kërkuar nga Ministria e Financave, raport i përgatitur përpara pandemisë që arsyeton një ekonomi normale, ku synimi kryesor është rritja e të ardhurave nëpërmjet mirëadministrimit fiskal. Unë i bashkohem faktit që ne duhet të rrisim të ardhurat dhe pastaj të mbështesim sektorë të veçantë, nuk jam për përjashtime, jo se nuk kanë dhënë efekt, sepse është e vështirë t’i matim edhe për shkak të informalitetit që kemi. Por problemi që kemi është që vërtetë mund të arkëtojmë më shumë nga arsimi, pro nuk jemi të sigurt që këto të ardhura do të shkojnë në arsim. FMN ka thënë se arsimi të bëhet me 20% por që arsimi dhe shëndetësia private të bëhen me 20% dhe pjesa publike të mbetet e përjashtuar.
Arben Shkodra, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës të Prodhuesve, shton një element tjetër. “Po të shikojmë listën e përjashtimeve ndër vite, kanë ndodhur çudira, kanë tentuar të lehtësojnë sektorë të ndryshëm, por unë mendoj që këto ndërhyje nuk shoqërohen me një studim të impaktit, madje as matjen e efektit post. Përshembull, hoqëm 2 vjet më parë TVSH për imputet bujqësore dhe duhet të dilnim me një relacion që të argumentonte shkaqet e heqjes. Çdo shtet jep stimuj fiskal, edhe pse personalisht nuk jam për shtim të përjashtimeve, por për një shtrirje lineare të taksave, dhe me pas të punojmë me mekanizma si rimbursimet dhe subvencionimi”.
Ndërkohë, sipas zëvendësdrejtoreshës së Tatimeve Elizabeta Katiaj, “zgjedhja e qeverisë për të luftuar informalitetin përmes lojës së TVSH nuk ka qenë i suksesshëm, sepse diversifikimi i sektorëve në lidhje me TVSH normalisht sjell mosfunksionimin e sistemit në tërësi. Mangësitë krijohen në kushtet e një informaliteti të lartë, i cili nuk mund të luftohet me reforma mbikëqyrëse dhe reformën në administratë, dhe kështu kanali i zgjedhur nga qeveria ishte reduktimi i TVSH në sektorë të caktuar. Metoda e diversifikimit të këtyre sektorëve në lidhje me reduktimet e TVSH duhej të gjykoheshin në bazë shifrash dhe vlerësimit të impaktit, ndërkohë që janë marrë në formë premtimesh elektorale dhe politikash jo të mirëstudiuara. (A2 Televizion)