Sulm me armë në Kaliforni, viktima dhe të plagosur

Nga A2 CNN
29 Korrik 2019, 11:28 | Bota
Sulm me armë në Kaliforni, viktima dhe të plagosur

Terror në Kaliforni. 3 persona u vranë dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur në një festival ushqimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autori i sulmit u vra nga policia, rreth 1 minutë pasi nisi të qëllonte me armë zjarri. Autoritetet po hetojnë nëse agresori kishte ndonjë bashkëpunëtor, i cili mund të jetë në arrati. 

Roland Velasco, kryebashkiak i Gilroy, u shpreh: “Ky është një hetim aktiv. I kërkoj komunitetit tonë që të lutet, ndërsa oficerët e policisë vijojnë me investigimin e këtij krimi tragjik”.

Festivali i Hudhrës në Gilroy ishte drejt fundit kur u dëgjuan të shtënat, që shkaktuan panik tek të pranishmit. Dëshmitarët në vendngjarje raportuan se autori ishte një burrë rreth të tridhjetave.

Motivet e këtij sulmi me armë ende nuk dihen. Për ngjarjen tragjike reagoi dhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e të prekurve.

I themeluar në vitin 1979, Festivali i Hudhrës ofron ushqime, pije, argëtim dhe gara gatimi. Në të marrin pjesë kryesisht vullnetarë dhe organizatorët theksojnë se për të garantuar siguri nuk lejohet armëmbajtja apo veshja që përcakton anëtarësinë në ndonjë bandë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos