“Sulmet” e çuditshme ndaj diplomatëve amerikanë, CIA rrëzon disa nga teoritë

Nga A2 CNN
20 Janar 2022, 17:05 | Bota
“Sulmet” e çuditshme ndaj diplomatëve amerikanë,

CIA ka realizuar së fundmi një hetim, i cili ka arritur në konkluzionet se diplomatët amerikanë që u prekën nga dhimbje të pashpjegueshme koke në disa përfaqësi diplomatike që tashmë njihet me emrin “Sindroma e Havanës”, nuk kanë qenë objekt sulmi nga një shtet i huaj.

Për herë të parë, një numër zyrtarësh amerikanë dhe kanadezë në Kubë në vitin 2016 u ankuan për dhimbje koke, marrje mendsh dhe të vjella që sipas tyre mund të ishin shkaktuar nga disa ultratinguj.

Më pas, raste të ngjashme u raportuan dhe nga diplomatë të tjerë dhe zyrtarë të shërbimeve të zbulimit në Australi, Austri, Kinë, Kolumbi, Gjermani dhe Rusi.

Disa zyrtarë në të kaluarën kanë spekuluar se shkaku i incidenteve mund të kishte qënë një sulm me mikrovalë nga Rusia, por shkencëtarët kanë shprehur dyshime rreth kësaj teorie.

CIA thekson se raporti përmban gjetje paraprake dhe nuk është përfundimtar.

Disa prej diplomatëve të prekur kanë shprehur pakënaqësi me raportin dhe thonë se vlerësimi i CIA-s nuk mund të jetë fjala përfundimtare në këtë çështje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos