
Deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare vijojnë të kërkojnë arsyet se përse mbrojtja kibernetike e Shqipërisë dështoi përballë sulmit të hakerave iranian.
Institucioni i radhës për të raportuar përpara deputetëve ishte Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Informacionit, drejtuesja e të cilit kërkoi mbylljen e dyerve për mediat, para se të tregonte të dhëna që tha se ishin sekret shtetëror.
“Kam një raport që duhet t’jua vë në dispozicion që përmban informacion sekret dhe tepër sekret. Është e pamundur të ndahet që kjo është sekret dhe kjo tjetra jo. Raportet që do të citohen në raportin tim janë të klasifikuara, ndërkohë që raportet e hapura janë bërë publike nga Microsoft dhe FBI”, tha Karçanaj.
Kjo nuk e pengoi opozitën që të tregonte me gisht fajtorin e dështimit të mbrojtjes kibernetike. Ferdinand Xhaferraj tha: “Se pavarësisht se siguria kombëtare u cenua nga hakerat iranian, hakeri më i rrezikshëm që është vazhdimisht cenues i sigurisë kombëtare është korrupsioni dhe kemi të gjitha argumentet për ta provuar dhe këtë. Pra, edhe këtë radhë, ishin mangësitë e lëna në sistem nga korrupsioni që çuan hakerat iranian në sistemin tonë”.
Nasip Naço u përgjigj: “Besoj se jeni deputet dhe detyrën e prokurorit lërjani të tjerëve”.
Më shumë sesa frikë nga hakerimi i të dhënave, deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare duke se ishin mosbesues ndaj njëri-tjetrit. Për të evituar rrjedhjen e informacionit, kryetari Nasip Naço urdhëroi dorëzimin e telefonave: “Çdo gjë që është elektronike do të dorëzohet përveç atyre që janë brenda rregullave të sigurisë, duke filluar nga celularët”.
Më herët, për të njëjtën çështje, në Komisionin e Sigurisë ka raportuar edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. (A2 Televizion)