Sulmet kibernetike, SHBA ofron mbështetje financiare dhe teknike

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2022, 13:08 | Aktualitet
Sulmet kibernetike, SHBA ofron mbështetje financiare dhe teknike

Presidenti Amerikan, Joe Biden, i ka dërguar një letër homologut shqiptar, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama, të cilën në Tiranë e përcolli personalisht e dërguara e Shtëpisë së Bardhë, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield. Presidenti Biden shpreh mbështetjen ndaj sulmit kibernetik që Irani i bëri sistemeve shqiptare, që do të vijë në formë financiare, si edhe nëpërmjet një grupi pune të posaçëm të dërguar nga Uashingtoni.

https://a2news.com/2022/09/09/sulmi-kibernetik-kunder-shqiperise-shba-sanksionon-iranin/

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të angazhuara për të dhënë mbështetje të konsiderueshme për të përforcuar mbrojtjen kibernetike duke përfshirë asistencë financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike. Ne kemi dërguar ambasadorin Nate Fick dhe një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë për të bashkëpunuar në një plan afatgjatë me koordinatorin tuaj të ri për sigurinë kibernetike

Pjesë nga letra e Joe Biden

Në letër, kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizon bashkëpunimin e SHBA-së me Shqipërinë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht kundër agresionit rus mbi Ukrainën. Bazuar mbi këtë marrëdhënie të ngushtë, presidenti Biden nënvizon nevojën e rritjes së lidershipit të Shqipërisë në rajonin tonë.

Në vitet e ardhshme, unë synoj që të thellojmë bashkëpunimin tonë strategjik edhe më shumë. SHBA-ja do të vijojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të pasur një lidership rajonal më të madh, duke promovuar stabilitetin dhe sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Pjesë nga letra e Joe Biden

Letrën në Tiranë e përcolli ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila do të jetë pjesë e ekipit që do të mbështesë Shqipërinë në rritjen e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, mesazhe që ajo i përcolli edhe gjatë takimeve me kryeministrin Rama dhe presientin Begaj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos