Sulmi me armë në veri, Kurti takon krerët e KFOR dhe EULEX: Jo më barrikada në rrugë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2022, 15:19 | Kosova
Sulmi me armë në veri, Kurti takon krerët e KFOR dhe EULEX: Jo

Priti në zyrë udhëheqësit e misioneve të huaja, pas sulmit me armë ndaj KFOR-it në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti diskutoi për çështjet e sigurisë me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, z. Lars Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit të qeverisë, palët folën për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.”

Megjithatë ende nuk dihet saktësisht se kur do të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët lokalë me ndihmën e grupeve kriminale në disa rrugë kryesore në veri të Kosovës. Kurti ka përsëritur shpesh se KFOR-i do të merret me zhbllokimin e këtyre akseve, bashkangjitur me frazën se qeveria e tij nuk do presë shumë gjatë për heqjen e tyre. Në deklaratën pas takimit, thuhet se kryeministri dhe udhëheqësit e KFOR-it dhe EULEX-it “u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”. Përpara këtij takimi të rëndësishëm, KFOR-i konfirmoi se të shtëna me armë zjarri ishin dëgjuar pranë një patrulle të misionit paqeruajtës në Zubin Potok, por fatmirësisht pa të lënduar apo dëme materiale.

Lidhur me incidentin, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “lojërat e Vuçiçit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë”.

Ndërsa, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, pranoi se ka pasur të shtëna me armë në Zubin Potok, por pretendoi se KFOR-i nuk është sulmuar. Sakaq, gjatë të hënës është sulmuar me gurë dhe një ekip mediatik po në veri të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos