
Arabia Saudite tregon prova konkrete të përfshirjes së Iranit në sulmin ndaj një rafinerie nafte. Ministria e Mbrojtjes shfaqi mbetjet e dronëve dhe raketave, të cilat nuk dihen ende nga janë nisur.
Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë marrë përsipër sulmet, ndërsa qeveria e Teheranit ka mohuar çdo përfshirje. Ministria Saudite e Mbrojtjes, pretendon se dronët dhe raketat janë nisur nga veriu.
“Këto raketa nuk vijnë nga Jemeni. Militantët Houthi thjeshtë ndjekin urdhrat e Gardës Revolucionare të Iranit. Këto lloj sulmesh me shumë mundësi vijnë nga veriu. Të dhënat e dala nga ekspertiza tregojnë se mbetjet raketore i përkasin Iranit”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Turki al-Malki.
E ndërsa tensionet në Gjirin Persik sa vijnë e shtohen, presidenti amerikan, Donald Trump, ashpërson masat ndaj Iranit. “Kam udhëzuar Sekretarin e Thesarit që të rrisë në mënyrë thelbësore sanksionet tona ndaj Iranit”, tha Trump.
Ndërkohë, Teherani është kundërpërgjigjur me anë të presidentit Hasan Rouhani, i cili tha se vendi i tij nuk e nisi konfliktin në rajon, por ishin Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite. E ndërsa përplasja në distancë vazhdon, Amerika nuk i ka dhënë akoma vizën e udhëtimit, presidentit Rouhani dhe pjesës tjetër të delegacionit të Iranit për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Bëhet fjalë për një vonesë, por që mund të kthehet në një krizë diplomatike. Qeveria iraniane ka paralajmëruar se do të anulojë pjesëmarrjen nëse viza nuk garantohet në një kohë të shpejtë. (A2 Televizion)