Një “aktor shtetëror” qëndron pas sulmeve ndaj 4 cisternave të naftës në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe. Dyshimi është ngritur nga vetë qeveria e Abu Dabit gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
“Sulmet e 12 majit lanë shenja të dukshme se ishte një operacion i sofistikuar dhe i koordinuar”, thuhet në raportin e Emirateve të Bashkuara.
Megjithatë nuk drejtoi gishtin ndaj ndonjë shteti konkret për sulmet, të cilat shënjestruan gjithashtu edhe anije të Arabisë Saudite dhe Norvegjisë, për këtë ngjarje, Shtetet e Bashkuara akuzojnë Iranin, edhe pse Teherani mohon çdo pretendim dhe kërkon hetim të detajuar.

Duke marrë shkas nga sulmet por edhe tensionet gjithnjë e në rritje mes dy vendeve, presidenti amerikan Donald Trump tha se ekziston një shans që administrata e tij të ndërmarrë një aksion ushtarak kundër Iranit.
“Gjithmonë ekziston një mundësi. Unë nuk e dëshiroj atë. Nuk është një opsion të cilin e preferoj, por mbetet gjithmonë një mundësi”, deklaroi Trump. Pavarësisht këtij paralajmërimi, Trump u shpreh i gatshëm të negociojë me qeverinë e Teheranit lidhur me normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkohë, sulmet ndaj cisternave të naftës u zhvilluan në ujërat territoriale të Emirateve, vend i cili e konsideron një operacion sabotazhi. Abu Dabi dyshon se zhytësit kanë shkelur ujërat territorial me anije të shpejta dhe kanë vendosur mina për shkaktuar një shpërthim të madh, por që nuk ndodhi kështu. (A2 Televizion)