Ishte ende në një moshë ku ëndrrat janë legjitime, 23-vjeçari Rodrigo Alain Cuevas, sulmues me një farë talenti, thonë, edhe pse në një ekip modest të kategorisë së tretë meksikane. Nuk ishte Benzema, edhe pse fanellën e Realit e vishte më shpesh dhe ndoshta mëme qejf se atë të ekipit të Ciervos, me të cilin luante.
Por drama e këtyre ditëve i këtij futbollisti anonim mund të japë një leksion jetë edhe kolegëve të tij miliarderë, dhe ndoshta secilit prej nesh.

Pak javë më parë, jeta që Cuevas imagjinonte për veten ndryshoi përgjithmonë kur preku aksidentalisht një kabull me tension të lartë. Rryma i përshkoi të gjithë trupin, nga koka deri në këmbën e majtë, ku kjo e fundit u dogj në mënyrë të parikuperueshme.
Prindërit e tij, që aq shumë kishin sakrifikuar për t’i mundësuar ëndrrën të birit, fillimisht nuk i besuan mjekëve që i këshillonin që Rodrigos t’i pritej menjëherë gjymtyra, për t’i shpëtuar jetën. Por vendimin e mori vetë djaloshi.
“Mendoja njëmijë gjera të ndryshme, sakrificat që kisha bërë , karriera profesioniste që ishte ende në fillimet e saj, por ky ka qenë një leksion jete i madh. Edhe pse e dëshiron diçka shumë, siç ishte për mua futbolli, asgjë nuk vjen përpara jetës tënde, Nuk mundet të mposhtemi nga depresioni i momentit, dhe duhet të shohim gjithmonë pjesën pozitive, dhe të besojmë”, thotë tani Rodrigo, historia e të cilit ka prekur opinionin publik meksikan, ku nuk kanë munguar mesazhet inkurajuese, por edhe donacionet për ndërhyrjen e kushtueshme.
Ekipi i tij ka deklaruar se do ta mbështesë edhe pse tani nuk do të shënojë më për ta, “ai po luan tani ndeshjen më të rëndësishme, dhe do të dalë fitues”, ishin fjalët e tyre në Twitter. (A2 Televizion)