
Pas transferimit të befasishëm në Bolivi, Armando Sadiku u prezantua zyrtarisht te skuadra e re, Club Bolivar. Sulmuesi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 9 dhe synon të jetë goleadori i kampionatit në vendin latin.
“Erdha të jem goleadori i skuadrës, dëshiroj të shënoj sa më shumë gola, për t’i dhuruar kënaqësi tifozëve. Për mua, Kupa Libertadores është një ëndërr, e kam parë vetëm në televizor. Do të punoj fort që të jem në formë optimale për turneun dhe t’i shënojë gjithë kundërshtarëve”, tha Sadiku.
29-vjeçari u transferua te klubi nga La Paz, pas aventurës së pafatë në Turqi, ndërsa synon të rikthehet lojtari vendimtar që ka qenë në Zvicër dhe Spanjë. Përpara prezantimit në media, Armando Sadiku u prezantua para skuadrës. Ndryshe nga Europa, ku lojtarët e rinj këndojnë, në Bolivi futbollistët e sapoardhur në ekip kërcejnë valle tradicionale. (A2 Televizion)