
Telenovela e krijimit të Superligës europiane me ekipet më të mira është rikthyer sërish në skenë. Një nga projektet që u la vetëm në letër dhe që përfshinte 12 skuadra gjigande në Europë, krijoi shumë polemika në botën e futbollit.
Tifozët e sportit më të ndjekur nuk ishin kurrsesi dakord me këtë projekt, për këtë arsye shumë klube vendosën që të tërhiqeshin, por 3 skuadrat rebele mbetën sërish Real Madrid, Barcelona dhe Juventusi, të cilat mesa duket nuk kanë hequr dorë nga kjo ide.
Pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve të vazhdueshme të UEFA-s për tri klubet, ato janë takuar sërish me njëra-tjetrën për të diskutuar dhe për t’i dhënë jetë projektit sa më shpejt.
Pasi gjykata i dha të drejtë tri gjigandëve duke detyruar UEFA-n të tërheqë të gjithë dënimet që kishte dhënë ndaj klubeve pjesë marrëse në projekt, tri klubet kanë patur një tjetër takim të zhvilluar mes presidentëve të tyre, Florentino Perez, Andrea Agnelli dhe Joan Laporta.
Ata nuk kanë dhënë detajet se çfarë u diskutua nga ajo mbledhje por nga ajo që raportohet, 3 drejtuesit i qëndrojnë besnikë idesë se krijimi i këtij kompeticioni do të ishte më frytdhënës jo vetëm për klubet e tyre por për të gjithë futbollin. (A2 Televizion)