Vendi i tretë dhe 18 pikë, viti rekord i Kombëtares

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2021, 16:31 | Futboll
Vendi i tretë dhe 18 pikë, viti rekord i Kombëtares

Një ëndërr e përjetuar në maksimum, por që në fund nuk arritëm ta bënim realitet. Viti 2021 regjistroi ecurinë më të mirë në histori të Kombëtares në kualifikueset e Kupës së Botës: 18 pikë të grumbulluara dhe vendi i tretë në grup.

Kuqezinjtë shpresuan deri në fund se mund të siguronin biletën drejt “Katar 2022”, të paktën duke provuar shanset nga faza “play-off”. Edhe pse me një kontigjent të rinovuar prej aventurës në Ligën e Kombeve, ekipi i Edy Rejës arriti të shfaqej konkurrues.

Aventura nisi në mars, me ndeshjen e fituar minimalisht në fushën e Andorrës. Ermir Lenjani, me golin e tij, vulosi suksesin e Kombëtares në një ndeshje të komplikuar, edhe sepse në vitin 2019 Shqipëria ishte frenuar në barazim zhgënjyes në duelin e luajtur në Andorra la Vella.

Sfida e dytë përballë Anglisë, favorite në grup, nuk kishte histori. “Tre Luanët” fituan 2-0 në Arenën Kombëtare me një lehtësi mbresëlënëse, në një ndeshje ku Shqipëria i kishte edhe shanset e saj për të shënuar dhe për të provuar të merrte rezultat.

Në fund, vendosën golat e Harry Kane dhe Mason Mount. Një humbje e llogaritur në ekonominë e përgjithshme të kualifikueseve, edhe pse pengu për të bërë diçka më tepër mbeti.

Më 31 mars 2021 u luajt edhe ndeshja e tretë në Grupin I, në fushën e San Marinos. Shansi për t’u ringritur dhe për të vijuar garën u shfrytëzua në maksimum. Përballja e parë në histori në ndeshje zyrtare u fitua me rezultatin 2-0, ku Rey Manaj dhe Myrto Uzuni shënuan golat në Serravalle. Edhe pse San Marino është ekipi i fundit në renditjen e FIFA-s dhe nuk ka fituar asnjëherë një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës, kuqezinjtë iu gëzuan suksesit që i ngjiti përkohësisht në kuotën e 6 pikëve.

Pauza e verës e la Shqipërinë spektatore, teksa luhej “Euro 2020”. Këtu ndikoi edhe humbja 1-0 në shtëpi me modestët e Lituanisë, e cila e nxori ekipin e Rejas nga gara për të shpresuar të luante fazën “play-off”.

E vetmja ndjesi që e afronte përfaqësuesen me Kampionatin Europian ishin dy miqësoret me Uellsin dhe Republikën Çeke, të cilat ishin finaliste të evenimentit më të rëndësishëm kontinental. Barazimi pa gola me uellsianët dhe humbja 3-1 me çekët ishin testet e Kombëtares, që gjithsesi nuk u reflektuan në sfidën e radhës kualifikuese.

Në shtator, Shqipëria u thye nga Polonia në Varshavë, me rezultatin e thellë 4-1. Robert Lewandowski udhëhoqi triumfin e polakëve, teksa barazimi i përkohshëm i Sokol Cikalleshit shërbeu që për pak minuta të krijohej iluzioni se kuqezinjtë mund të merrnin rezultat pozitiv. Megjithatë, në fund kapitullimi ishte i pashmangshëm, me polakët që na goditën me Buksa, Krychowiak dhe Linetty.

Pas asaj humbjeje, të gjithë prisnin reagim dhe yjet e Kombëtares nuk zhgënjyen. Më 5 shtator, Shqipëria regjistroi suksesin e parë në histori përballë Hungarisë. Armando Broja shënoi një gol të shkëlqyer, duke ngritur peshë entuziazmin e tifozëve të pranishëm në “Elbasan Arena”, të cilët ishin rikthyer në stadium prej shpërthimit të pandemisë. Me këtë triumf të jashtëzakonshëm, Kombëtarja u ngjit përkohësisht në vendin e dytë në grup dhe ëndrra dukej gjithmonë e më pranë.

Tre ditë më pas, erdhi edhe goleada 5-0 përballë San Marinos, ku Broja ishte sërish vendimtar me një gol dhe një asist, duke konsoliduar bindjen se është talenti më i madh i sulmit kuqezi. Po kaq i rëndësishëm u konfirmua edhe Odise Roshi, i aktivizuar nga stoli, me dy asiste të dhëna, fillimisht për Brojën dhe më pas për Hysajn.

Me entuziazmin në yje, Shqipëria dukej e pandalshme. Më 9 tetor, Armando Broja bëri që Budapesti të heshtte, me një gol të shkëlqyer. Shkëputje e jashtëzakonshme, forcë e pandalshme fizike dhe goditje potente, e cila u frenua vetëm nga rrjeta. Shqipëria fitoi edhe ndeshjen e dytë me Hungarinë, duke shkaktuar një prej befasive më të mëdha të kualifikueseve për zonën europiane. Kuqezinjtë ruajtën pozitat në vendin e dytë në grup dhe luanin sezonin në 90 minuta, me finalen direkte të 12 tetorit 2021 përballë Polonisë, në “Arenën Kombëtare”, për një biletë drejt fazës “play-off”.

Interesimi në Arenën Kombëtare ishte i pakrahasueshëm. Të gjithë dëshironin të ishin në stadium për t’i dhënë mbështetje skuadrës, me shpresën se do të festohej një arritje historike. Megjithatë, fati nuk donte. Skuadra ishte përgjysmuar, sepse mungesës së Gjimshitit iu shtuan infektimet e Cikalleshit dhe Gjasulës me Covid-19. Përpara ndeshjes, pozitiv u konfirmua edhe Balliu, duke bërë që alternativat në dispozicion të Rejas të ishin të pakta. Pavarësisht situatës së krijuar, kuqezinjtë provuan, por në minutën e 77 u ndëshkuan nga goli i Swiderski. Pas avantazhit të miqve, ndeshja u ndërpre për disa minuta, me tifozët që reaguan ndaj provokimeve të lojtarëve kundërshtarë, duke hedhur sende dhe shishe në fushë.

Me moralin përtokë, pasi humbën shansin e jetës, përfaqësuesja udhëtoi drejt Londrës, për sfidën në Wembley me skuadrën më të fortë të grupit. Goditja e marrë la pasoja, me Shqipërinë që e pa veten në disavantazh 5-0 prej pjesës së parë të lojës. Në një ndeshje pa histori dhe pa forcën për të reaguar, kuqezinjtë iu falën zemërgjerësisë së Tre Luanëve, që ulën tempin e lojës dhe nuk shënuan më në portën e mbrojtur nga Strakosha.

Shqipëria ishte plotësisht jashtë garës, megjithatë në sfidën e fundit kualifikuese ndaj Andorrës kishte ende objektiva, edhe pse nga ëndrra e vendit të dytë, tashmë i duhej të mbronte vendin e tretë në grup. Tre pikët ishin jetike, sepse në rast barazimi apo humbje, përpos rezultatit zhgënjyes, Hungaria që fitoi 2-1 në fushën e Polonisë së kualifikuar do të na parakalonte. Endri Çekiçi me penallti, shënoi golin e triumfit, i pari për yllin pogradecar me fanellën e Kombëtares. Një gol që e mbajti Shqipërinë në vendin e tretë në grupin kualifikues, pozicionimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Gjithashtu, kuqezinjtë e mbyllën edicionin me 18 pikë të grumbulluara, një rekord absolut në rrugëtimin drejt Kupës së Botës.

Kombëtarja e realizoi objektivin minimal të sezonit, edhe pse në fund ëndrra për të provuar pjesëmarrjen e parë në fazën finale të Botërorit u venit. Ishte e bukur për aq sa zgjati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos