
Shkëndija e Tetovës nuk niset e dorëzuar përballë Totenham. Kuqezinjtë do të provojnë të luajnë shanset e tyre me një prej skuadrave më të mëdha të Premier Ligës angleze, duke besuar se ndaj ekipit të Zhoze Murinjos, misioni nuk është i pamundur.
“Shkëndija nuk është vetëm e Tetovës, por e gjithë shqiptarëve”, deklaron trajneri Ernest Gjoka gjatë prezantimit të ndeshjes së Europa League.
Krenaria e shqiptarëve kundër një prej skuadrave më të mëdha europiane. Shkëndija sfidon Tottenham, në një duel luksi, ku në lojë është ëndrra për kualifikimin në fazën play-off të Europa League.
“Kam kënaqësinë të përballemi me një gjigant si Tottenham dhe me një nga trajnerët më të mirë në botë si Mourinho. Nuk ka rëndësi ndonjëherë sa i madh je, por sa ti kërkon në fushë për të dhënë maksimumin”, vijon Gjoka.
Edhe për kapitenin Egzon Bejtullai, pavarësisht emrit të madh të rivalit, misioni nuk është i pamundur. “Si futbollistë gjithmonë ëndërrojmë të përballemi në ndeshje të mëdha, janë ndeshje që duhen shijuar. Mendoj se është ‘mision not impossible’”, thotë kapiteni i Shkëndijës.
Ndeshja Shkëndija-Tottenham luhet këtë të enjte në orën 20:00 në Shkup. (A2 Televizion)