Luante në kohën e Baggios dhe Van Bastenit, por sot “gjyshi” i futbollit është ende titullar

Nga A2 CNN
23 Shtator 2020, 19:00 | Futboll

Kur Kazuyoshi Miura udhëtoi për herë të parë nga Japonia, ku futbolli ishte ende në hapat fillestare të profesionizmit, për në Italinë e Serisë A, skenën e dominonin ende emra tashmë mitikë si Roberto Baggio, Bergomi, Marco Van Basten dhe Ruud Gullit.

Japonezi përballej për herë të parë me skenën europiane, pas një eksperience të gjatë në rini në Brazil dhe në vendlindje, ku përfaqësonte vullnetin e vendit aziatik për të qenë faktor në atë sport.

 Atë që nuk do të imagjinonte kurrë sulmuesi kur filloi të luajë me fanellën e Genoas, në 1994,  është që do të ishte sërish titullar, në një kampionat profesionist, 26 vite më vonë.

Kazu Miura debutoi dje në sezonin e ri të J1-League, seria më e lartë japoneze, me fanellën e Yokohamës me të cilën luan nga viti 2006, atëherë kur duhet të ishte gjithsesi në pension. Ai sot është 53 vjeç, gjashtë muaj dhe 28 ditë, padyshim lojtari më i vjetër në botë që luan në një kampionat të këtij niveli.

Kazuyoshi luajti titullar për 56 minuta, vërtetë nuk shënoi, diçka që herën e fundit i ka ndodhur në 2017, por mbajti me dinjitet ritmin e atyre që mund të jenë shumë mirë fëmijët e tij, dhe në disa raste edhe nipërit.

Vullneti i Miurës është ai të vazhdojë deri sa të festojë 60-vjetorin. Një parashikim realist, nga ai i disa viteve më parë, ku deklaroi se do të vdiste në fushë. Por “gjyshi i futbollit botëror premton se vullneti dhe pasioni i tij për këtë sport nuk ka ndryshuar aspak, nga viti 1986 kur filloi karrierën profesioniste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos