
“Qeveria duhet të ngrihej në këmbë, të merrte masa dhe të ndryshonte buxhetin e 2021, sepse ka rënie ekonomike, të ardhurat nuk do të realizohen, buxheti është në ajër”. Është ky propozimi i përfaqësueses demokrate, Jorida Tabaku, pas raportit të fundit të FMN-së për ekonominë shqiptare.
E ftuar në "Ditari", në A2 CNN, Tabaku ripërsëriti edhe njëherë atë që deklaroi më herët se kriza ekonomike do të vazhdojë për një kohë të gjatë.
“Situata aktuale dhe ndikimi i pandemisë, borxhi i lartë, politikat e munguara dhe mbyllja e ekonomisë do e prekin më gjatë se vendet e tjera. Bizneset nuk u mbështetën dhe ndihmuan. FMN thekson se Shqipëria ka paketën më të vogël. Këto pasoja do të vazhdojnë dhe rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë më afatgjatë”.
Sipas Tabakut, raporti i FMN-së i sugjeron qeverisë që të bëjë kujdes me shpenzimet që nuk janë të domosdoshme. Ajo thekson se duhet të anulohen PPP-të dhe fokusi të jetë nxitja e punësimit dhe investimeve.
“Duhet të kemi kujdes me shpenzimet e palogjikshme dhe ato që nuk janë prioritare, eliminim i shpenzimeve të luksit e PPP. Përveç ndikimit të remitancave dhe turizmit dhe bujqësia vuajti si rezultati i rënies së turizmit. Ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në Shqipëri se këta nuk e mbështetën ekonominë.
Ekonomia është lënë në rënie të lirë. Shqipëria do ketë vështirësi nëse nuk heq shpenzimet e panevojshme. Qeveria ka gënjyer për pandeminë, po gënjen për tërmetin dhe nuk ka asnjë burim e mbështetje. Kemi bërë një analizë korrekte të situatës, duhet të ishin anuluar PPP-të dhe duheshin fokusuar në nxitjen e punësimit dhe investimeve”. (A2 Televizion)