
Përfaqësuesja demokrate Jorida Tabaku ka denoncuar kryeministrin Rama se i ka falur Safet Gjicit 37 milionë dollarë për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Përmes një videoje të postuar në Facebook, Tabaku thekson se qeveria i ka dhënë këto para për interesa elektorale dhe nuk u ofron asnjë paketë ndihme qytetarëve.
“Taksat e shqiptarëve Edi Rama ia fal Safet Gjicit për interesa elektorale të PS, ndërsa shqiptarët rrinë në qiell të hapur. Më kot presin shqiptarët paketë ndihme nga Rama në kohë pandemie, paketë shpëtimi dhe rindërtimi. Rama taksat e tyre i çon në xhepin e Safetit për të blerë nevojtarët dhe për t’u pasuruar”.
Tabaku u bën thirrje qytetarëve që më 25 prill t'i jepet fund kohës së abuzimit me taksat e shqiptarëve.
“Në 25 prill do ti tregojmë vendin hajdutëve të fatkeqësisë. Atyre që për 7 vjet vodhën buxhetin edhe në kohë fatkeqësie. Së bashku do të hapim një kapitull të ri për vendin! T’i japim fund kohës së Gjicëve dhe abuzimit me taksa në kurriz të shqiptarëve! Rama është arsye e thellimit të krizës përmes keqmanaxhimit dhe vjedhjes në kohë pandemie, një hajdut edhe në kohën e një flame të tillë!” (A2 Televizion)