
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se “raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se qeveria ka gënjyer dhe manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur 610 milionë euro borxh”.
Sipas Tabakut, “borxhi publik bashkë me koncesionet shkon në 81%”.
“Edi Rama është kampion i vjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe rritjes së borxhit që secili prej nesh duhet të paguajë për vjedhjet e tij. Raporti i Kontrolli të Lartë të Shtetit tregon se qeveria ka gënjyer dhe manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur 610 milionë euro borxh! Kjo do të thotë se çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë 200 euro shtesë vetëm prej borxhit të fshehur të Edi Ramës. Fshehja e shifrës së borxhit është tregues jo vetëm i paaftësisë dhe pazotësisë, por kjo fshehje dëshmon manipulimin dhe kriminalizimin e qeverisë deri në pikën që shkatërron tërësisht të dhënat dhe besueshmërinë e publikut. Qeveria ka vazhduar të gënjejë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare duke pohuar se kanë ulur borxhin publik, në 67.2%. E vërteta është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standarteve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%”, u shpreh Tabaku.
Më tej, Tabaku renditi borxhet që i janë fshehur, sipas saj, shqiptarëve.
“Detyrimet për investime dhe vendime gjygjësore janë rreth 173 milionë euro. Detyrimet për rimbursimin e TVSH janë rreth 169 milionë euro. Borxhe për tatim ftim ndaj biznesit 124 milionë euro. Detyrime gjygjësore në avokaturën e shtetit, po ashtu 124 milionë euro. Detyrime gjygjësore ndërkombëtare 26 milionë euro. Totali i borxhit të paraportuar, të fshehur nga qeveria e Edi Ramës vetëm gjatë vitit të kaluar, është 600 milionë euro. Ky manipulim i të dhënave, kjo fshehje e borxhit real dhe detyrimeve është një vepër e rëndë pasi e ka vendosur buxhetin në një rrezik të paprecedentë. Arkitekti i kësaj skeme mafioze dhe kriminale, kryeministri që projekton ndarjen e pronave dhe parave të shqiptarëve si të jenë feudi i tij personal ka shkatërruar çdo institucion dhe ka përçudnuar kushtetutën e vendit”, theksoi Tabaku. (A2 Televizion)