
Në përfundim të seancës parlamentare për votimin e ndryshimeve në qeveri, deputetja demokrate Jorida Tabaku, e konsideroi të papranueshme që opozita nuk pati hapësirë për debat për ndryshimet në qeveri apo programin qeveritar. Sipas saj Shkarkimi i Ahmetajt duhej të shoqërohej edhe me arsyet dhe nëse kishte lidhje me çështjen e inceneratorëve.
“Sot parlamenti mohoi kërkesën e PD-së për debat, u ndryshuan dhe prioritetet e qeverisë. Është e papranueshme që opozita të mos ketë asnjë hapësirë parlamentare edhe për programin e qeverisë dhe ndryshimet në qeveri. Besoj se ndryshimi i zëvendës kryeministrit është i pamjaftueshëm. Duhej të shoqërohej me arsyet e këtij ndryshimi. A kishte ky vendim lidhje me çështjen e inceneratorëve? Kryetarja e parlamentit duhet të tregonte që ishte mbi palët dhe dështoi ta bënte këtë”.
Tabaku theksoi se sot në Kuvend duhet të diskutohej edhe çështja e hapjes së dosjeve, një iniciativë kjo e lancuar nga PD. Ajo i bëri apel kryeparlamentares Lindita të jetë mbi palët.
“Sot në emër të PD doja të diskutoja për iniciativën që ne kemi lancuar për hapjen e dosjeve. E kuptoj luftën politike dhe përdorimet politike. Ne jemi për parimin e hapjes së dosjeve me anë të një ligji që do ta sjellim njëherë e mirë në ditët në vijim, që do të ndajë Shqipërinë nga periudha e tranzicionit. Partia Socialiste nuk ka moral që të përdore Autoritetin e Dosjeve për luftën e brendshme politike. Nuk patëm mundësinë të diskutojmë as për këtë, as për rezolutën ndaj Kosovës dhe as për integrimin. Ashtu siç dinë të bëjnë e përdorin Parlamentin si noter. Shpresoj që kjo sjellje të ndryshojë në shtator dhe kryetarja e parlamentit të dalë mbi palët”, tha Tabaku. (A2 Televizion)