Tabaku: Shqipëria me indeksin e demokracisë më të dobët dhe me korrupsion më të lartë se viti 2018

Nga A2 CNN
23 Janar 2020, 08:58 | Politikë
Tabaku: Shqipëria me indeksin e demokracisë më të dobët

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shkruan në rrjetet sociale se “Shqipëria e Edi Ramës nuk është vetëm një demokraci hibride, siç Indeksi i Demokracisë së “The Economist” raporton”.

“Transparency International” dhe raporti i botuar prej saj për vitin 2019 tregon se Shqipëria renditet e 106, duke pasur rënie në raport me një vit më parë. Shqipëria është vendi i fundit në rajon dhe njësoj siç pohon DASH vendi më i korruptuar në këtë pjesë të planetit. Problemet me politikanë të korruptuar, mungesa e demokracisë institucionale, vendimmarrja e munguar e qytetarëve apo dhe trajtesat preferenciale janë elementë që kanë ndikuar në vlerësimin negativ. Shqipëria është vendi ku 1 në 3 tendera jepen në mënyrë abuzive, ku ligjet dhe taksat shkruhen në zyrat e oligarkëve në shërbim të interesit të tyre personale dhe jo qytetarëve. Pikërisht nën këto standarte ne sot gjendemi të renditur më keq dhe kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit”, lexohet në postimin e Tabakut.

https://a2news.com/2020/01/23/lufta-kunder-korrupsionit-transparency-international-shqiperia-hapa-prapa/

“Ka një rrugë për të shpëtuar nga sistemi korruptiv që është instaluar në Shqipëri. Beteja për tregun e lirë, konkurrencën e ndershme në këtë treg, heqjen e çdo kontrolli që sjell barrë mbi biznesin, ndërtimin e institucioneve përgjegjëse. Një qeveri që nuk e komandojnë zyrat juridike të oligarkëve por që i harton ligjet në shërbim të qytetarëve. Mundësi për bizneset e vogla dhe jo rregullatorë dhe barriera për to në shërbim të bizneseve të mëdha, reformë e plotë zgjedhore që rregullon financimin e partive politike dhe transparencë në tenderat dhe koncesionet. Shqipëria nuk ka më luksin të vuajë pasojat e keqqeverisjes së të paktëve ndaj shumicës. Ka ardhur koha që kumbarëve të korrupsionit t’u japim goditjen e merituar”, shton ish-deputetja demokrate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos