
Kryetari i PD, Lulzim Basha, priti në një takim delegacionin e PDK, me në krye kreun e saj, Enver Hoxhaj.
Në përfundim, Basha deklaroi se të gjitha institucionet shqiptare duhet të shtojnë mbështetjen për Kosovën për njohjen e saj si dhe në sfidat e tjera që përballet Kosova.
“Kontributi më i madh që Shqipëria mund, duhet dhe do të japë është të qëndrojë fuqimisht në krah të Kosovës, në krah të institucioneve të Kosovës, duke bërë thirrje për një qëndrim sa më të unifikuar të gjithë faktorëve politik, duke braktisur çdo agjendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave me të cilat përballet Kosova dhe duke unifikuar vullnetet tona për të dalë edhe njëherë triumfues mbi këto sfida. Duke avancuar procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, duke insistuar në njohjen e ndërsjella midis Kosovës dhe Serbisë si para kusht për proceset stabilizuese dhe integruese në Ballkan. Duke mbështetur fuqimisht aspiratat dhe objektivat e Kosovës për heqjen e vizave, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)