Bashkimi Europian synon që brenda muajit shtator të zhvillojë një takim të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë, ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak, zhvilloi një vizitë në Beograd.
Biseda e zyrtarit të BE-së me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, zgjati dy orë. Lajçak njoftoi se diskutimi ishte thelbësor lidhur me takimin e shtatorit, përpjekjet për të ulur tensionet dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, gjithashtu edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dala nga procesi i dialogut.
Vuçiç përsëriti retorikën e tij të zakonshme me akuza drejtuar kryeministrit Kurti.
“Kam biseduar për më shumë se dy orë me Miroslav Lajçak. Unë jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë e Metohi dhe për planin e Kurtit për të pushtuar me forcë veriun e krahinës dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Këtë shqetësim ia kam përcjellë përfaqësuesit special Lajçak”, tha Vuçiç.
Lidhur me mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në shtator, Lajçak foli dhe me Kurtin gjatë punimeve të forumit strategjik në Bled të Sllovenisë. Pas takimit, ndërmjetësuesi europian njoftoi se fokusi ishte normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i paktit mes Kosovës dhe BE-së për uljen e tensioneve në veri.
Ndërkohë më herët, zëdhënësi i unionit, Peter Stano, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të krijojnë kushtet e nevojshme për vazhdimin e dialogut. Gjithashtu solli në vëmendje thirrjet për zbatimin e shpejtë dhe pa vonesa të të gjitha marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë paktin për normalizimin e raporteve dhe aneksin e tij.
Hera e fundit kur u zhvillua një raund dialogu në Bruksel ishte data 22 qershor, por në atë rast nuk u zhvillua një takim mes Kurtit dhe Vuçiç për shkak të tensioneve tepër të larta. (A2 Televizion)
