
Kryeministri Edi Rama ktheu në vëmendje dy ditë më parë bastet online. 31 dhjetori i vitit 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve. Por edhe pas këtij vendimi drastik të qeverisë, fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk.
Pothuajse çdo javë, në njoftimet e policisë deklarohen të arrestuar që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në fushën e basteve sportive apo kategorive të tjera të lojërave të fatit. Ndërkohë, drafti i qeverisë për rikthimin e basteve online do të hidhen së shpejti për konsultim.
Por i ftuar në Debat, producenti i sportit në A2 CNN, Erald Kodhelaj, u shpreh se tatimi i fitimit të lojtarëve rrezikon dështimin e legalizimit të basteve.
“Do të tatohet edhe fitimi i lojtarit. Nuk kam parë asnjë vend të botës, askush nuk tatohet për fitimin që ka nga kompanitë e basteve. Lojtari është ai që gjithmonë humbet, organizatori është ai që fiton. Nëse lojtari humbet kur luan baste, humbet edhe kur fiton bastin sepse duhet t’i paguajë tatim shtetit, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Unë nuk e di nëse është menduar mirë kjo.
Duhet të bëhet një ligj serioz, jo sa për të kaluar radhën. Në të kundërt, kjo është e dështuar që në fillim”, tha Kodhelaj. (A2 Televizion)