
“Të thuash që jemi të lumtur se jemi komb i ndarë, është marrëzi. Të thuash që kemi dy shtete dhe jemi më të fortë do të ishte shkurtpamësi. Të thuash që do të bashkohemi, të quajnë nacionalist. Të thuash që do bashkohemi në BE të quajnë diplomat. Të flasim si diplomatë e të punojmë si patriotë”. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan, por e para për të, në këtë post.
Në fjalën e tij, ai tha se shqiptarët në Kosovë të mësuar me flamurin kombëtar shqiptar, kanë pësuar tronditje për shkak të zëvendësimit të simboleve kombëtare.
“Jemi një lis me dy degë. Jemi një, pavarësisht se me dy dialekte që po njehsohen falë muzikës, artit, sportit. Ajo që ndjej në Kosovë, e cila kaloi shekullin e kaluar me flamurin kombëtar, është se ka një ndrydhje të ndjenjave e dëshirave kur flitet për Shqipërinë, e shkaktuar nga trauma e ndryshimit të befasishëm të simboleve që ka shkaktuar tronditje kolektive. Shoqëria në Kosovë, pësoi një zëvendësim që nuk u lejua të debatohej. Nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, një kërkesë për të ndrydhur një dëshirë e mendim”.
Sipas kreut të qeverisë së Kosovës, mbledhja e sotme e përbashkët mes dy qeverive ka si synim integrimin mes shteteve tona, në rrafshin politik dhe patriot si forcimi i shteteve përmes luftës së korrupsionit dhe krimit.
“Mbledhja e qeverive tona është integrimi ynë mes shteteve tona, është strategjik dhe qëllimor progresi i marrëveshjeve, duhet të shoqërohet me cilësi në zbatim se janë me rëndësi ekonomike e historike. Si patriotë, duhet të forcojmë dy shtetet tona, të luftojmë krimin, korrupsionin e median, lirinë e mendimit dhe vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona. Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por detyrë si mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit kudo e kurdo. Sa më të përqëndruar jemi në të vërtetën tonë, aq më të fuqishëm do të bëhemi. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët. Sa më të integruar do të jemi, do të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë. Çdo e mirë e njërit shtet, do të përcillet në anën tjetër. Njerëzit tanë të lëvizin e punojnë, të lehtësohet qarkullimi dhe t’u zgjerohet mundësia të veprojmë me shpejtësi e cilësi, kështu mund të prodhojmë më mirë, e të fitojmë më shumë së bashku”.
Për Kurtin, linja hekurudhore Durrës-Prishtinë do të rrisë bashkëpunimin ekonomik e gjeopolitik, si dhe do të forcojë shqiptarët dhe do të ndihmojë rajonin.
“Linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është lehtësi, shpejtësi, ekologji dhe fuqi e tokës në det, rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve është ekonomike e gjeopolitke që rrit dhe forcon shqiptarët e ndihmon rajonin. Marrëveshja e lehtësimit të lejeve të qëndrimit, lehtësimi i qarkullimit doganor, mbështetje e trashëgimisë kulturore e muzeve. Kalendar të përbashkët vjetor. Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”.
Kurti foli edhe për bashkëpunime në fushat e tjera që do të shpejtojnë integrimin e vendeve tona në BE.
“Bashkëpunimin në fushën juridike dhe lehtësim i njohjes së diplomave, certifikatave e gradave shkencore që na afrojnë më shumë. Që të sigurohemi se marrëveshjet do të zbatohen, kemi një koordinator të përbashkët . Le të përshpejtojmë hapat e veprimit dhe të shpejtojmë integrimin e vendeve tona në BE”. (A2 Televizion)