Sot në Elbasan mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, do të firmosen 15 marrëveshje

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2021, 07:50 | Politikë
Sot në Elbasan mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë sot në Elbasan mbledhjen e përbashkët të radhës. Sipas agjendës, në orën 09:45 pritet të mbërrijnë delegacionet, ndërsa ceremonia do të nisë në orën 10:00. Në orën 11:30, është parashikuar konferenca e përbashkët për shtyp.

Mes 15 marrëveshjeve që pritet të firmosen, është dhe ajo për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dyja vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësira të ndërsjella në procedurat doganore të hyrje-daljes së mallrave.

Ky është takimi i tetë i përbashkët zyrtar mes dy qeverive dhe takimi i parë i qeverive Rama-Kurti.

Agjenda e plotë:

09:45 – Mbërritja e delegacionit të Republikës së Kosovës

10:00 – Mbërritja e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

10:10 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Shqipëri-Kosovë

Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë përmbyll sesionin plenar

11:20 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

11:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave

12:10 – Drekë zyrtare shtruar nga Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, në nder të Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe delegacioneve të dy Qeverive

13:10 – Forumi i Biznesit Shqipëri – Kosovë.

Marrëveshjet e përbashkëta që priten të nënshkruhen:

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm;

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit;

Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës së Kosovës “Për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”;

Për miratim, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikes se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore;

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave;

Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022;

Marrëveshje Bashkëpunimi: Në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK;

Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

Marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë;

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare;

Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-të (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave);

Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit;

Manuali Për procedurat standarde të operimit në piken e përbashket të kalimit kufitar (PPKK) Morinë-Vermicë;

Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut;

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos