
Një në 10 të burgosur të huaj në Britaninë e Madhe është shqiptar. Tabloidi ‘The Sun’ shkruan se gangsterët nga Ballkani Perëndimor, tejkalojnë për herë të parë polakët si jo-britanikët më të shumtë pas hekurave, pasi morën kontrollin e tregtisë së kokainës.
Ministria e Drejtësisë bën me dije se shqiptarët përbënin 876 nga 9089 të burgosur të huaj në qelitë britanike në muajin qershor të këtij vit. Numri i shqiptarëve pas hekurave është gati dyfishuar në 4 vite thotë “The Sun”, nga 475 që ishte në qershor të 2015-tës.
Në raportin e Ministrisë se Drejtësisë britanike thuhet se të burgosurit më të shumtë pas britanikëve janë shqiptarë (10 % e të dënuarëve të huaj), polakë (8%), rumunë (8%), iralandezë (8%) dhe xhamajkanë (5%).
Shqiptarët, sipas “The Sun”, nuk kontrollojnë vetëm tregtinë e kokainës në rrugë, por edhe importin e ngarkesave nga e gjithë bota. Tabloidi citon paralajmërimin e agjencisë kombëtare të krimit.
“Kërcënimi nga grupet kriminale shqiptare është i konsiderueshëm. Ato kanë ndikim të profilit të lartë brenda krimit të organizuar në Britaninë e Madhe dhe kontrollojnë tregun e trafikimit të drogës, veçanërisht kokainës. Londra është nyja kryesore, por po e zgjerojnë influencën edhe përtej” shkruhet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Krimit.
Muajin e kaluar një bandë shqiptare e krimit të organizuar prej 12 anëtarësh u burgos për shitjen e sasive të mëdha të kokainës. (A2 Televizion)