Të kënduarit dhe të bërtiturat rrisin rrezikun e infektimit me Covid-19

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 10:13 | Aktualitet

Jo vetëm kollitja dhe teshtitja, rreziku i infeksionit Covid rritet edhe me të kënduarit dhe të bërtiturat, veçanërisht kur jeni në ambiente të mbyllura, pa ajrosje dhe pa maskë.

Mjeti kryesor i transmetimit të SARS-CoV-2, koronavirusi që shkakton Covid-19, është ajri. Infektohemi duke biseduar me një mik pa maskë (duke rënë në kontakt me frymëmarrjen, ose spërklat), por edhe duke ndarë për disa kohë me një të infektuar një hapësirë ​​të mbyllur, pa ajrosje, përmes të ashtuquajturve aerosole. Një artikull i botuar në El País heton këtë mënyrë delikate të transmetimit, duke analizuar në veçanti rrezikun e infektimit në vende të ndryshme dhe duke u përpjekur të kuptojë se si ta zvogëlojmë atë.

HESHTJA! Ne kishim folur për rrezikun e infektimit në kore, duke përmendur shembullin e shpërthimit të një kori në shtetin e Uashingtonit, ku 53 nga 60 njerëzit e pranishëm ishin infektuar marsin e kaluar, dhe dy prej tyre më vonë vdiqën. Jo shumë kohë më parë kori i Scala të Milanos (dhe më vonë orkestra) u bë një vatër e covidit. Por pse, pavarësisht se këndojmë në hapësira të mëdha dhe me distanca të caktuara, ne infektohemi? Faji është i aerosoleve, pasi duke bërtitur ose duke kënduar ne lëshojmë një sasi të grimcave të frymëmarrjes pesëdhjetë herë më të larta se kur jemi të heshtur. Këto aerosole, nëse nuk hollohen nga ventilimi i duhur, përqendrohen në mjedis dhe rrisin rrezikun e infektimit.

MUND TË EVITOHEJ- Studiuesit kanë analizuar rastin e shpërthimit të korit amerikan duke u përpjekur të kuptojnë nëse mund të ishte shmangur. Sipas simulimeve, nëse të gjithë kishin vënë maska, rreziku i infektimit do të ishte përgjysmuar dhe për këtë arsye rreth 43% e të pranishmëve do të ishin infektuar, dhe jo 87%. Për më tepër, duke shkurtuar kohën e provave të këndimit dhe duke ajrosur në mënyrë adekuate hapësirën, të infektuarit do të kishin qenë vetëm dy.

TRE HAPA QË DUHEN NDJEKUR- Për të ulur rrezikun e infektimit në vende të mbyllura (supermarkete, bare, restorante, kisha) është thelbësore të ndiqni disa rregulla të thjeshta: Së pari, gjithmonë mbani një maskë, edhe kur jeni me miq; së dyti, ajrosni hapësirat, në mënyrë që grimcat e frymëmarrjes të shpërndahen dhe së fundmi, mos qëndro shumë gjatë në vend të mbyllur.

KU MUND TË INFEKTOHENI MË SHUMË?- Në sferën sociale, ne infektohemi më lehtë në bare, restorante, evente apo diskoteka. Rreziqet më të mëdha janë në një klub nate, ku mesatarisht një person i infektuar infekton 27 persona, krahasuar me gjashtë në një bashkim familjar. Një shembull vjen nga një shpërthim verën e kaluar në Cordoba, Spanjë, ku një natë vallëzimi u kushtoi prekjen nga infeksioni 73 personave.

PO NË SHKOLLË? Është folur shumë për mësimdhënien, qoftë në prani apo për ta bërë atë në distancë. Ajo që bën ndryshimin, nënvizon artikulli në País, është pacienti zero: kur i infektuari i parë është një mësues, i cili flet me zë të lartë për një kohë të gjatë (duke lëshuar kështu një sasi të madhe të grimcave të frymëmarrjes), rreziku i ngjitjes është më i madh në krahasim me një nxënës që është pozitiv me covid dhe flet pak ose kurrë.

Në fund të fundit, ajo që secili prej nesh mund të bëjë për të zvogëluar rrezikun e infektimit (dhe infektimin e të tjerëve nëse është asimptomatik) është të mbani një maskë, të respektoni distancat e sigurisë dhe të mos frekuentoni vende të mbyllura dhe të mbushura me njerëz për një kohë të gjatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos