
E marta do të jetë dita e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili do të zgjedhë anëtarët dhe për këtë ka reaguar edhe Kryeprokurorja Arta Marku, e cila thotë në një deklaratë se ditën e sotme do të hidhen themelet e institucionit të parë të ri të drejtësisë.
“Është dita ku ne do t’i japim jetë Qeverisë së Re të sistemit prokurorial si ingranazh i rëndësishëm i makinerisë së madhe të reformës në drejtësi dhe që me krijimin e KLP hyn në fazën e zbatimit të plotë të saj. Ne sot kemi fatin që me pjesëmarrjen dhe votën tonë të hedhim të parët themelet e institucionit të parë të ri të drejtësisë ndaj mos e humbni këtë shans për asnjë arsye”, i drejtohet Arta Marku prokurorëve.
Më tej, ajo thotë se “do i hapim rruge krijimit te SPAK-ut, zgjedhjes se Prokurorit te Përgjithshëm me mandat”.
“Le t’u tregojmë të gjithëve, popullit që pret drejtësi, partnerëve tanë që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë në këtë rrugëtim të gjatë drejt ngritjes dhe konsolidimit të një drejtësie të re, se ne jemi të përgjegjshëm, se ne duam t’i ngremë institucionet, i duam funksionale ato, e duam vendin tonë dhe integrimin e tij. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, të merrni pjesë në mbledhje, jo vetëm si një detyrim ligjor, por si shenjë e përgjegjësisë se lartë. Prandaj ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë dhe të votojmë nën mbikëqyrjen e partnereve të huaj dhe mediave, me transparencë maksimale, për t’u treguar të gjithëve se ne duam dhe ne mundemi”, mbyllet deklarata e Arta Markut.
Ndërsa më herët gjatë së hënës reaguan njëzëri edhe Ambasada e SHBA në Tiranë si dhe Delegacioni i BE, duke bërë thirrje që KLGJ dhe KLP duhen ngritur këtë javë. (A2 Televizion)