
Talebanët kanë shprehur mbështetjen e tyre për përpjekjet botërore në luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke bërë thirrje për ndihmë për të përfunduar projektet ambientaliste në Afganistan.
Duke theksuar nevojën për të mbrojtur “klimën e brishtë” të vendit të tij, zëdhënësi i Talebanëve, Suhail Shaheen, tha se duhet bërë punë e madhe për të ndihmuar që Afganistani të bëhet më i gjelbër.
Regjimi i grupimit të armatosur, që mori me forcë pushtetin në gusht, nuk përfaqësohet në samitin e OKB-së për klimën që po zhvillohet në Skoci, pasi nuk njihet ende zyrtarisht. Por Shaheen tha se projektet ambientaliste që janë miratuar nga OKB-ja për vendin e tij me qeverinë e vjetër duhet të rinisin plotësisht. “Afganistani ka një klimë të brishtë. Nevojitet punë e jashtëzakonshme. Disa projekte që luftojnë ndryshimet klimatike dhe që janë miratuar dhe financuar nga agjenci të ndryshme duhet të rifillojnë”.
Shaheen tha se Talebanët merrnin përsipër sigurinë e të gjithë përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare që ishin larguar nga Afganistani gjatë ndryshimit të pushtetit. (A2 Televizion)