Trajneri i Arsenal, Unai Emery, nuk pranoi të komentonte nëse Granit Xhaka do të vazhdojë të qëndrojë më kapiten i skuadrës, apo jo, pas sherrit në distancë me tifozët e klubit gjatë ndeshjes së të dielës ku “Topçinjtë” barazuan 2-2 me Crystal Palace.
I pyetur nëse ishte marrë një vendim për Xhakën, Emery tha: “Për momentin nuk dua të flas dhe as ta mendoj këtë gjë. Nuk është e lehtë as për të dhe as për skuadrën. Ai është i shkatërruar, i mërzitur. Kam folur me të të dielën dhe të hënën”.

Megjithatë, Federata Zvicerane e Futbollit ka reaguar duke shprehur mbështetjen totale për lojtarin me origjinë shqiptare, i cili gjithashtu është edhe kapiten te Zvicra. “Kemi kontaktuar me Granitin, vlerësojmë cilësitë dhe rëndësinë që ai ka për skuadrën kombëtare. Si rezultat nuk do të ndryshojmë qëndrim”, thuhet në një reagim zyrtar të Federatës Zvicerane. (A2 Televizion)