
Disa ligjvënës në Teksas, SHBA, kanë menduar që të hartojnë një projektligj që do të lejonte Prokurorinë të kërkonte dënim me vdekje për një grua që kryente një abort, duke e futur këtë veprim në listën e krimeve të dënueshëm me vdekje.
Projektligji e konsideron abortin si “vrasjen e një fëmije të që s'ka lindur ende”, duke u mbivendosur kështu mbi ligjet federale që e konsiderojnë abortin si një të drejtë të nënës, mbrojtur nga amendamenti i 14 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
“Një qenie njerëzore, që nga momenti i fertilizimit, ka të njëjtat të drejta, fuqi, dhe privilegje që i garantohen me ligj çdo qenieje tjetër njerëzore”, thuhet në projektligj.
Projektligji nuk është miratuar ende në komisionin përkatës dhe nuk ka dalë për debat në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të Teksasit. Por gjatë seancave dëgjimore, më shumë se 446 persona që diskutuan dhanë miratimin e tyre për këtë nismë, ndërsa vetëm 54 ishin kundër. Kongresmenja demokrate e Teksasit Victoria Neave tha se ligjvënësit shtetëror “po përpiqeshin t’i bënin grave pikërisht atë për të cilat i akuzojnë se duan t’i bëjnë fëmijëve duke abortuar”.
Por përfaqësuesi republikan në Asamblenë Shtetërore Toni Tinderholt, i cili ka bërë propozimin, tha se projektligji nuk shënjestronte femrat, por bënte të mundur që të gjithë ata që kryenin një vrasje të dënoheshin. (A2 Televizion)