
Gazeta “The Times” e Londrës zbulon detaje të reja nga biseda telefonike e zhvilluar të enjten mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut anglez Sunak.
Sipas medias britanike, dy udhëheqësit kanë diskutuar mbi një plan që parashikon rikthimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, pa pasur mundësi apelimi për refuzimin e kërkesës së tyre për azil. “Shqiptarët të cilët abuzojnë me ligjin britanik të skllavërisë moderne për të shmangur dëbimin, mund të kthehen në Shqipëri dhe pretendimet e tyre si viktima të skllavërisë moderne do të mund të shqyrtohen në vendin e tyre”, shkruan “The Times”.
Plani, sipas gazetës britanike, do të jetë pjesë e një marrëveshjeje të re mes dy qeverive. Ndërsa Britania shton përpjekjet për frenim të emigracionit, Gjermania bën ndryshime pozitive sa i përket të drejtës së qëndrimit. Të huajt që kanë jetuar të paktën 5 vjet në Gjermani me statusin “i duruar” mund të marrin në të ardhmen leje qëndrimi të përkohshme, deri 18 muaj.
Ndryshimet u miratuan të premten në Bundestagun gjerman. Leja e qëndrimit do t’u mundësojë personave të interesuar të plotësojnë kushtet e nevojshme për qëndrim të ligjshëm; si njohja e gjermanishtes dhe garancia për të ushqyer veten. (A2 Televizion)