Tenderi i uniformave të Policisë, çështja ndaj 10 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme kalon për gjykim

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2021, 09:26 | Kronikë
Tenderi i uniformave të Policisë, çështja ndaj 10

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të akuzuar për abuzim në tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Ata do të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Seanca e parë do të zhvillohet më 26 nëntor në orën 12:00.

Zyrtarët akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”.

Mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.

SPAK akuzon të dyshuarit se përmes ndryshimit të kushteve e kritereve të tenderit dhe favorizimit të një prej kompanive garuese. Sipas dosjes së prokurorisë, të siguruar nga A2 CNN, procedura e tenderit “Blerje e shpërndarjeve e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, duhet të zhvillohej në tri pjesë, por është bashkuar në një të vetme nga zyrtarët e dyshuar.

Prokurorët e SPAK kanë zbardhur gjithë korrespondencën e mbajtur nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ku ka rezultuar që gjatë procedurës janë bërë ndryshime të specifikimeve teknike, çka është reflektuar në ndryshim të cilësisë dhe sasisë dhe kostos së prodhimit dhe shpërndarjes, por jo të fondit limit të parashikuar.

Një prej anëtarëve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk ka pranuar të firmosë disa nga faqet e procedurës së tenderit. “Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarë të tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord”, citon prokuroria deklarimet e dhëna prej saj.

Sipas SPAK, shqetësimi i inxhinieres është shfaqur tek anëtarë të tjerë të Njësisë së Prokurorimit, dy prej të cilëve mbetën në burg e një tjetër në arrest shtëpie, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal, përveç mosnënshkrimit të saj në 7 faqe të dokumenteve të procedurës.

Në përballjen e tyre të parë me gjykatën, më 12 korrik, asnjë nga nëntë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Mistrisë së Brendshme, të akuzuar për abuzim me tenderin prej 2,8 miliardë lekësh, nuk pranuan të kenë shkelur ligjin.

Argumentet e tyre për pafajësi nuk bindën Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 prej tyre dhe atë të “arrestit të shtëpisë” për një tjetër. Mes të dyshuarve që do të hetohen në qeli është edhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.

Por më 10 nëntor, Gjykata e Lartë ka prishur dhe ka kthyer për rigjykim vendimin e Apelit. Vendimi i Gjykatës së Lartë përfshin 7 prej tyre, mes të cilëve edhe Edlira Naqellarin, dhe 1 tjetër në arrest shtëpie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos