Tension në Bruksel, mijëra dalin në rrugë kundër emigrantëve | FOTO

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2018, 20:27 | Bota

Mijëra protestues dolën këtë të diel në rrugët e Brukselit për të kundërshtuar paktin për emigracionin të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të nënshkruar javën e kaluar në Marakesh.

Partitë e krahut të djathtë të etnisë flamande ishin organizatore të tubimit i cili u zhvillua para godinave kryesore të institucioneve të Bashkimit Europian. Sipas tyre, kjo marrëveshje do të rrisë numrin e emigrantëve që do të vijnë në të ardhmen në kontinent.

Policia përdori gazin lotsjellës, ujin me presion dhe kuajt për të shpërndarë turmën që arrinte deri në 5500 vetë.

Disa qindra metra më larg, në qendër të qytetit, organizohej ndërkohë një kundër protestë nga partitë e krahut të majtë dhe organizata bamirësie, me rreth 1000 pjesëmarrës.

Anëtarja më e madhe e koalicionit qeverisës në Belgjikë, partia e krahut të djathtë N-VA, u largua nga qeveria të dielën e kaluar në shenjë proteste ndaj vendimit të kryeministrit Charles Michel për ta firmosur paktin.

Marrëveshja ishte arritur që në muajin korrik, por u nënshkrua zyrtarisht vetëm nga 164 prej 196 shteteve anëtare të OKB javën e kaluar. Mes shteteve që nuk e kanë firmosur janë Shtetet e Bashkuara, Austria, Hungaria, Italia, Polonia dhe Sllovakia.

Marrëveshja, edhe pse nuk sjell detyrime ligjore për shtetet që e firmosin, kërkon një qasje më ndërkombëtare të çështjes së emigracionit. Edhe pse në të konfirmohet që shtetet sovrane kanë të drejtë të vendosin vetë mbi politikat e emigracionit, kritikët në Europë thonë se do të sjellë shtim të numrit të emigrantëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos